“Fantasia 98-21” (DM Unique Collection 1998-2021)

Dastid vjen me ketë paraqitje të tij të dytë në Tiranë, me një përzgjedhje prej 17 punimesh në gjininë e pikturës. Janë këto punime të një koleksioni unikal, pasi gjenden ketu piktura të cilat datojnë nga viti 1998, e vijojne deri me punime të fundit nga 2021.

 

Është ky një koleksion retrospektivë i veçantë pasi piketon dukshëm një pjesë tepër të rëndësishme të rrugëtimit të tij artistik, i shtrirë ky në një hark kohor 23 vjeçar. Një udhëtim absolutisht i ndryshëm, i vendosur në kohë dhe vënde imagjinare, me karaktere personazhesh, të cilat vijnë për të rrëfyer një histori sa të vjetër po aq dhe të re. Një arratisje në një botë fantastike ku komunikimi vjen me nje tjetër metaforë dhe ku liria e perceptimit ndjesor e meditativ, miksohet natyrshëm me dimensione të tjera, më brendore, subkoshienciale. Surrealizëm e metafizikë, simbolizëm e kompozime të shprehura guximshëm në formë e ngjyrë, i bejnë keto punime të kalojnë vrullshëm përpara syve tanë aq shpejt por dhe në mënyrë po aq esenciale, sa dhe vetë ndjesia e të jetuarit.

 

Ku ishim, ku jemi dhe ku shkojmë?

Janë keto pyetje të cilat mund të vijnë natyrshëm në këtë bashkëbisedim artistik, ku krijimi shndërron të panjohurat në imazhe, e ku vendosja e tyre në një hapësirë vendore e kohore, krijon kontekste dhe narrativa tepër intime e personale.

 

Dastid Miluka është lindur në Tiranë, më 15 Shtator 1974.

Në vitin 2000 diplomohet në Universitetin e Arteve, pranë Fakultetit të Artit Skenik, në specialitetin e Skenografisë dhe Kostumografisë.

Nga viti 2003 jeton dhe punon në Bruksel, Belgjikë.

Pjesëmarrës në shumë aktivitete artistike, personale dhe kolektive, të zhvilluara këto në Europë, si Belgjikë, Francë, Hollandë, Gjermani, Zvicër etj. Përherë të vlerësuara nga kritika dhe publiku, punimet e tij tashmë janë pjesë e koleksioneve në shumë vënde të botës.

https://dastid.com

 

 

E-mail