Ndodh që në periudha të ndryshme të jetës të vjen të ikësh me vrap, të lësh gjithçka dhe të zhdukesh.  Të mbyllësh telefonin. Ta hedhësh në det. Fiks si në ato skenat teatrale të filmave, ku personazhi e vërvit telefonin sa i këputet krahu. Ajo që pason është një ndjenjë çlirimi e pafund. Oksigjeni të përplaset fytyrës, benefitet janë thuajse hyjnore.

 

Por ne nuk e kemi luksin për asnjë nga këto!

 

Kemi “ngecur” me apo pa dëshirë në këtë realitet. Ndjenja e përgjegjësisë na mban lidhur, këtu, në zyrë, në shtëpi, me atë, atë, apo atë…

E kështu magjitë e ditëve “shkatërohen” njëra pas tjetrës nga të qenit “i përgjegjshëm”.

 

Si të shpëtosh nga rutina dhe nga vorbulla e saj “vrasëse”, që të myk mendjen dhe të mplak shpirtin?!

 

Hm, nis të gatuash atë kekun me portokall që lexove së fundmi, gatuaj sallatën me finok dhe fara pishe, mbill një lule të re në ballkon, më pas bëj caj, pastaj pi verë, fto miq në shtëpi. Shko në hiking, eksploro, bëj rafting, turizëm kulinar, piknik, etj. Këto janë opsionet që nuk kërkojnë organizim të madh, as shpenzim, madje as drama.

 

Pastaj në cdo rast, sa herë që mundesh merr makinën dhe ik. 

 

Nuk e kam fjalën për udhëtime luksi, apo avione private, vakte të shtrenjta, në vende ekslusive. Nuk po them që fakti që nuk ke mundësi për të marrë avionin dhe tu për tu zhdukur me ditë të tëra në brigjet koralore të Oqeanit Indian, të bën më pak ambicioz dhe më pak aventurier. Udhëto pranë vendit, në destinacione të afërta, mjaft të nisesh dhe të gjesh lëndinën më të afërt për tu ulur me këmbët zbathur në bar.

 

Ne shpesh flasim për tema SI të udhëtojmë, KU të udhëtojmë, KUR të udhëtojmë, por shumë pak flasim për PSE të udhëtojmë. Sepse të pëlqen të zbulosh vende, të njohësh njerëz, të zbulosh kultura të ndryshe, ushqime të reja?! Ok, por pse?! 

 

Të pëlqen sepse të shëron. Edhe ajri ndihet ndryshe në arratisjet e ëmbla. Ideja e të pasurit kokën mes reve, në fakt të shëron mendjen.

 

 

FUQIA SHËRUESE E ARRATISJEVE

Copyright 2018 ©Meri Dishnica

E-mail